Kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Vusho Ajazi Lika ka deklaruar në Komisionin e Sigurisë Kombëtare se para dy muajsh ka mbërritur në Vlorë, një pajisje e teknologjisë së lartë IMCI Catcher.
Sipas tij, problematike ishte fakti se kjo pajisje kishte hyrë e pa deklaruar në Shqipëri dhe për këtë arsye ai ka informuar Prokuroin e Përgjithshëm Adriatik Llalla.
Sa i përket faktit nëse pajisja është përdorur për përgjim apo jo, kreu i SHISH tha se nuk disponon informacione të tilla. Sipas tij pajisja përdorej nga policia italiane për një trajnim të policisë shqiptare dhe si e tillë nuk mund të quhej e paligjshme.
"Disa muaj të shkuara, 2 muaj ne morën informacion që një pajisje e teknologjisë së lartë IMCI Catcher kishte ardhur në Shqipëri. U informuam që ishte vendosur në Vlorë për trajnim. Se çfarë është kjo pajisje secili mund ta gjejë në internet. Ajo që ishte problematike ishte se pajisja nuk ishte deklaruar e hyrë brenda. Për këtë arsye i shqetësuar se kjo pajisje mund të përdorej në mënyrë të paligjshme mora kontakrt me kreun e Prokurorisë. Detyrë e SHISH ishte të informonte institucionet e shtetit për një pajisje që mund të cënonte sigurinë kombëtare. Lidhur me atë që është thënë në media, pas kësaj ka qenë në dorën e prokurorisë për të shkuar më tej që të merrte info në institucionin që e kishte. Nuk është në tagrin tonë që të pyesnim si përdorej kjo pajisje. Ne nuk kishim mundësi të mblidhnim më shumë informacion. Pajisja përdorej siç e dini nga policia italiane për një trajnim me policinë shqiptare. Të gjitha të tjerat i përkasin prokurorisë. Nuk kemi asnjë informacion se kush është përgjuar dhe pse është përgjuar. SHISH është jashtë kësaj..." tha Ajazi, duke shtuar se e ka raportuar shqetësimin gojarisht vetëm tek Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla.
"Pas kësaj jam thirrur nga Nishani dhe jam pyetur për këtë informacion. Ministrin e Brendshëm nuk e kam informuar," shtoi Ajazi duke u shprehur se nuk ka raportuar as tek kryeministri Rama pasi gjithçka ishte mbi bazën e dyshimeve dhe e pakonfirmuar.