Fëmijët e lindur nga qershori 2012-t deri në dhjetor 2015-t nuk do të marrin shpërblimin prej 5 mijë lekë nga Bashkia e Tiranës. Pagesa nuk do jepet për shkak se administrata e ish-kryebashkiaku Lulzim Basha nuk e ka parashikuar në buxhet bonusin e bebeve.
Kjo do të thotë se shpërblimi prej 5 mijë lekë nga bashkia e kryeqytetit do të jepet vetëm për bebet e lindura nga 1 janari 2016-t.
E kontaktuar nga Report TV Bashkia e Tiranës bëri të ditur se duke qenë se nuk është parashikuar në buxhet pagesa për vitet 2012-2015 ajo nuk mund të paguhet.
Ka qenë ish-kryebashkiaku Lulzim Basha i cili nuk parashikoi në buxhet këtë pagesë në vitit 2012.
E njëjta gjë ndodhi përgjatë gjithë mandatit të tij, duke bërë që mijëra nëna të mos marrin bonusin e bebeve prej 5 mijë lekë.
Kjo pagesë u vendos për herë të parë nga ish-kryebashkiaku Edi Rama në vitin 2008 dhe është rikthyer nga Erion Veliaj.
Ky i fundit në datën 1 janar i ka çuar vet nenës që lindi fëmijën e parë për 2016-n, çekun me 5 mijë lekë të rinj.