Ata që nuk paguajnë dot kreditë e marra tani kanë një shans të ri për të dalë nga situata. Banka e Shqipërisë ka nxjerrë një rregullore të re për bankat e nivelit të dytë, duke i instruktuar se si të veprojnë në rastet e kredive të këqia për individë, të cilat po shtohen me ritme marramendëse.
Ristrukturimi i kredisë është një mënyrë për të zgjidhur problemet e huamarrësit, i cili është duke u përballur me probleme financiare pa iu drejtuar procedurës së përmbarimit ose procesit gjyqësor. Është në interes të të gjitha palëve që huamarrësi të kontaktojë huadhënësin sa më shpejt të jetë e mundur, në rast se evidenton vështirësi financiare, me qëllim fillimin e diskutimit mbi ristrukturimin, thekson Banka.