TIRANË - Një seancë e posaçme parlamentare vetëm për diskutimin e projektligjit shumë të debatuar të arsimit të lartë të martën në orën 17:00. Është ky vendimi që ka marrë Konferenca e Kryetarëve e cila u mblodh pas debateve që përfshinë sallën e Kuvendit këtë të enjte, ku në rend dite ishte edhe miratimi i këtij projektligji.
Demokratët i kërkuan kryeparlamentarit Meta heqjen nga rendi i ditës të projektligjit dhe diskutimin e tij në seancën e së enjtes tjetër. Edhe pse e quajti mungesë vullneti nga ana e opozitës për të ecur para me këtë projektligj si pjese e reformës të rëndësishme në arsim, Ruçi kërkoi që parlamenti të mblidhej të hënën. Burime për A1 Report nga Konferenca e Kryetarëve, thanë se u vendos që seanca e posaçme për arsimin e lartë të jetë të martën, një ?kompromis? ky për të mos sjellë të tjera përplasje mes opozitës dhe mazhorancës.
Diskutimi me ritme të ngadalta, shpesh herë seanca të pazhvilluara në komisione parlamentare për shkak të përfshirjes së deputetëve në fushatë elektorale, bëri që projektligji për arsimin e lartë të mos shqyrtohej në imtësi nga deputetët anëtarë në komisione.