Gjendja jo e mirë shëndetësore e kushëririt të një drejtoreshe banke në Tiranë, e ka detyruar këtë të fundit të vjedhë para në filialin e bankës që ajo drejtonte.
Bëhet fjalë për një shumë prej 32.5 milion lekë të vjetra që është marrë nga drejtoresha me inicialet A.Z, e cila pak kohë më parë u dënua me 2 vite heqje lirie nga gjykata e Tiranës.
E pyetur me cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime e pandehura A.Z ka pranuar faktin dhe ka shpjeguar se këtë gjë e ka bërë për të ndihmuar financiarisht një mikun e saj, S.K,i cili kishte një problem të rëndë shëndetësor.
Drejtoresha, në rrëfimin e saj në gjykatë ka shpjeguar se ka dashur të ndihmojë të afërmin e saj, dhe se lekët që ka marrë klientëve të bankës, do ua kthente sërish bankës.
Ish-drejtoresha ka shfaqur pendesë në gjykatë, duke rrëfyer se kërkonte mëshirë dhe se gjithçka që kishte bërë, edhe pse e kundraligjshme, e kishte kryer për të shpëtuar jetën e kushëririt të saj.
Por pavarësisht kësaj, gjykata e Tiranës ka vendosur të dënojë me 2 vite burg ish-drejtoreshën për akuzën e ?Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën? dhe ?Falsifikimit të dokumenteve?.
Ky dënim është pezulluar duke e kaluar ish-drejtoreshën në shërbim të provës.
Hetimet e prokurorisë
Nga raporti i Kontrollit të Brendshëm, të kësaj Banke, ka rezultuar se kjo shtetase ka përvetësuar, me anë të veprimeve të kundraligjshme, në dëm të Banka e Tiranës, një vlerë prej 32.554.96 me ane transaksionesh bankare, të parregullta, për periudhën Nëntor 2010 ? Mars 2014.
E pandehura A.Z. është thirrur dhe ka dhënë shpjegime pranë auditit të brendshëm të bankës në lidhje me këto veprime, ku ajo vetë ka pranuar nëpërmjet një deklarate me shkrim, se ka kryer veprime transaksione bankare dhe konkretisht: hapjen e kredisë me CASH kolateral për klientin I.L.,në shumën prej 1.000.000 lekë, pa dijeninë e tij,hapja e kredisë me CASH kolateral për klientin N.C, në shumën prej 2.100.000 lekësh,pa dijeninë e saj. Gjatë hetimeve paraprake janë thirrur dhe pyetur me cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethana të hetimit shtetasit D.M.,A. Gj.D. dhe I.L., A. K., L. B., N.C., V.B.,S .K.
Nga dëshmitë e këtyre shtetasve të dhëna gjate hetimeve paraprake ka rezultuar se e pandehura A.Z ka kryer dhe disa veprime të tjera, të konsideruar të parregullta nga auditi i brendshëm, si rritja e vlerës së overdraftit personal pa marrë më parë miratimin përkatës, pagesa e kësteve të kredisë, në emër të shtetasit S. M., të marrë prej tij në interes të pandehurës A. Z., nga llogaritë e brendshme të Bankës.
Gjithashtu nga veprimet hetimore të kryera në kuadër të këtij procedimi penal, ka lindur dyshimi i arsyeshëm që, disa dokumente të përfshira në praktikat e kredive të miratuara për shtetasit I. e D.L dhe N. C.,A. Gj.janë të falsifikuara, pasi në to nuk janë nënshkrimet origjinale të shtetasve të lartpërmendur.