TIRANË - Bizneset në zonën A në kryeqytet, paguajnë më shumë taksa për zënien e hapsirës publike, sesa bizneset në disa zona turistike të qyteteve europiane. Aktualisht, për një 1 m2 hapsirë publike të zënë në zonën A në kryeqytet (zona e ish Bllokut), një biznes duhet të paguajë 1.500 lekë në muaj. Referuar kursit të këmbimit të djeshmëm të Bankës së Shipërisë, kjo taksë përkthehet në rreth 130 euro në vit.
Krahasuar me disa qytete në Itali, taksa që paguajnë bizneset në zonën e ish Bllokut në Tiranë, për zënien e hapsirës publike, rezulton më e lartë se taksa që paguajnë bizneset në disa qytete në shtetin tonë fqinj, Italinë. Aktualisht, në piazza Duomo të Milanos, që është një simbol i këtij qyteti dhe një zonë që vizitohet nga turistë të shumtë, kjo lloj takse është më e ulët. Konkretisht, zënia e 1 m2 hapsirë publike atje, i kushton 118.91 euro në vit bizneseve.