TIRANË - Deputeti i Partisë Socialiste Taulant Balla shprehu keqardhje për deklaratën që Ben Blushi dha për ndryshimet e fundit në kabinet, duke kërkuar ndryshimin e mënyrës së qeverisjes. Në një prononcim për gazetarët, Balla tha se këto qëndrime janë destruktive ndaj qeverisë.
"Shpreh keqardhje për këtë reagim të zotit Blushi në vazhdën e disa qëndrimeve që janë në dëm të PS, dhe në formë destruktive ndaj qeverisjes së PS. Më vjen keq që kur flet për ekonominë flet njësoj si Saliu. Kur një depuet nuk shkon për dy vjet e gjysmë në zonën e tij zgjedhore dhe i sheh vetëm përmes televizorit....", tha Balla.
Nga ana tjetër Balla përgëzoi punën e ministrit të larguar Shkëlqim Cani dhe kërkoi angazhimin e ministrit të ri Ahmetaj, dhe Milva Ekonomit që emërohet në krye të ministrisë së Ekonomisë.
"Ne e falënderojmë kolegun në kapërcimin e borxhit të fshehur, dhe e falënderojmë për punën e bërë për formalizimin e Ekonomisë. I uroj shumë sukses ministrit të ri të Financave i cili ka për detyrë të çojë përpara betejën për formalizimin e ekonomisë. Suksese dhe ministres së re, beteja gjinore korr dhe një sukses tjetër. Kjo është qeveria më e balancuar në nivel gjinor", tha Balla.