Cilido përfaqësues nga shoqatat apo organizatat jofitimprurëse që plotëson kriteret ligjore dhe në të njëjtën kohë kërkon apo ka ambicien të bëhet pjesë e Këshillit Kombëtar të Shoqërisë Civile, prej ditës së sotme mund të paraqesë kandidaturën e tij, e cila më pas do të votohet.
E gjitha kjo nëpërmjet një vlerësimi online dhe procesi sa më transparent. Procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për anëtarë të KKSHC-së është hapur nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, gjatë një takimi që ka zhvilluar në ambientet e MMSR-së me përfaqësues të shoqërisë civile dhe drejtues të Agjencisë së Shoqërisë Civile.
Gjatë fjalës së tij në këtë takim, ministri Klosi duke vlerësuar si të një rëndësie tepër të veçantë mirëfunksionimin e këtij Këshilli, kërkoi nga të gjithë pjesëmarrësit që të bëhen pjesë e këtij procesi, në mënyrë që ai të jetë sa më transparent dhe i besueshëm për këdo.