http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Edhe pse pranon ankesat që kanë konsumatorët për cilësinë e keqe të naftës në Shqipëri, kryeinspektorja e Inspektoriatit Shtetëror Teknik thotë se statistikat vërtetojnë të kundërtën. Në një intervistë për Vizion Plus, Ejana Xhixha sqaron se gjithsej në vitin 2015-të janë bërë 5000 kontrolle, dhe vetëm në 3% të rasteve ka rezultuar se ka patur përzierje të naftës. Sipas kryeinspektores Xhixha, kontrollet që bën ISHT janë në bazë risku, dhe shkohet te subjektet të cilat janë konstatuar me shkelje. Pjesa më e madhe e gjobave që inspektorati ka vënë këtë periudhë është mbushja e bomblave të gazit jashtë standardeve, rregulla që nuk zbatohen as nga markat më në emër të pikave të karburantit. Një problem që inspektorati ka në përballjen me subjektet tregtare që gjobit, është vjelja e gjobave. Për momentin, në gjykatë kanë shkuar për tu kthyer në urdhër ekzekutimi, penalitete të 2013-ës dhe 2014-ës. Në pjesën më të madhe të rasteve, edhe pse shumë pika karburanti kanë marrë gjoba sepse kanë vjedhur konsumatorin në cilësinë e produktit që kanë shitur, kanë shpëtuar pa e paguar atë. Kjo sepse nëse kalon dy vjet nga afati i vendosjes së gjobës, ajo nuk ka më fuqi juridike.