http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Ato janë thuajse gjithnjë bashkë. Edhe nëse në skenë shfaqen vetëm Klaudja dhe Era, pas kuintave të një spektakli apo perdes së cirkut kombëtar gjen edhe nënën e tyre Fitneten. Ky është vendi ku këto vajza janë rritur, vendi ku Fitnetja, tanimë mjeshtre e madhe dikur i merrte për dore. Ka më shumë se 40 vite që punon në cirk dhe asnjëherë nuk i ka shkuar ndër mend të heqë dorë nga ky profesion i vështirë. Madje për shumë të vegjël, Fitnetja është modeli i artisteje të suksesshme në cirk. Pasioni dhe talenti duket se është trashëguar edhe te Klaudja dhe Era, dy vajzat e saj, të cilat të gjithë i njohim si vajzat e zjarrit. Një nga sukseset e këtyre vajzave ka qenë edhe vendi i dytë në spektaklin e talenteve në Vizion Plus. Përtej të gjitha vështirësive, Klaudja që tashmë është mësuar me kamerat, rrëfen se cirku është një pasion i madh dhe se jashtë kësaj çadre ku ato shpenzojnë më shumë se 8 orë në ditë vazhdojnë të mendojnë sërish për numrat që do të luajnë për publikun. Por ato janë kaq të lira në skenë edhe për shkak se gëzojnë një mbështetje të madhe jo vetëm nga publiku, por edhe nga burrat e shtëpisë. Fotot në hyrje të cirkut rrëfejnë shumëçka nga historiku i këtij institucioni e mes tyre nuk janë të pakta momentet kur Fitentja, Klaudja dhe Era luajnë në skenë.