http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Përfundon seanca dëgjimore në Gjykaten Kushtetuese në Kosovë, ndërsa trupa e gjyqtarëve është tërhequr për të marrë një vendim rreth ligjshmërisë se zgjedhjes së kryetarit të kuvendit Isa Mustafa. Sipas kreut të kësaj gjykate Enver Hasani, pas analizimit të çështjes, interpretimi i gjykatës do të publikohet në faqen zyrtare në internet. Në këtë seancë Partia Demokratike e Kosovës u përfaqësua nga deputeti Arsim Bajrami ndërsa, blloku opozitar LDK, AAK dhe Nisma nga deputetja Vjosa Osmani. Në prezantimin e argumenteve të PDK-së Bajrami ka thënë se zgjedhja e Isa Mustafës në postin e kryetarit të Kuvendit nuk i ka respektuar procedurat kushtetuese. Sipas tij, në bazë të rezultatit të zgjedhjeve të 8 qershorit, subjekti më i madh parlamentar është Partia Demokratike e Kosovës dhe rrjedhimisht duhet të njihet edhe si grupi më i madh parlamentar me çka do të merrte me automatizëm të drejtën e propozimit të kryetarit të Kuvendit. Duke e cilësuar zgjedhjen e Mustafës si anti-kushtetuese, Bajrami kërkoi që Gjykata ta rrezojë Mustafën. Në anën tjetër, përfaqësuesja e koalicionit opozitar Vjosa Osmani ka thënë se zgjedhja e Mustafës ishte kushtetuese dhe se këtë vendim duhet ta njoh edhe Kushtetuesja në vendimin përfundimtar. Osmani ka thënë po ashtu se Grupi më i madh parlamentar është ai i partive LDK, AAK dhe Nisma dhe jo ai i PDK-së. Sipas procedurave, pas seancës dëgjimore, paneli i gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese do të vazhdojë konsultimin e brendshëm deri në marrjen e vendimit me anë të votimit të fshehtë. Ky vendim, sipas afatit ligjor mund të merret deri më 18 shtator.