http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Gjatë kohës që Çekia kishte presidencën e radhës në Bashkimin Europian, qeveria shqiptare privatizon edhe kompaninë e cila bën shpërndarjen e energjisë. Një privatizim i cili i solli buxhetit 120 milion euro. Firma e cila bleu këtë shërbim të vetëm në vendin tonë ishte një firmë çeke dhe u komentua nga shumë ekspertë të fushës si një dhuratë që mazhoranca e asaj kohe e kabinetit Berisha po ia jepte këtë aset Çekisë në këmbim të dosjes e aplikimit për në BE. Në fakt në 28 prill kryeministri Sali Berisha aplikoi për statusin e kandidatit të Bashkimit Europian. Kërkesa iu dorëzua Çekisë që në atë kohë mbante presidencën e radhës së BE-së. Për këtë arsye edhe privatizimi i sistemit energjetik nga kompania çeke CEZ, u lidh me dëshirën që presidenca çeke ta shihte pozitivisht dhe të mbështeste aplikimin. Por në vend të përmirësimit të shërbimit dhe cilësisë për qytetarët shqiptarë, administrimi nga CEZ solli në sistemin e shpërndarjes së energjisë elektrike një kaos. Ndryshe nga sa kishte firmosur në kontratë CEZ, nuk arriti që të kryente investimet e duhura në rrjet, çka shkaktonte herë pas here edhe ndërprerje të shpeshta të energjisë. Por një pjesë tjetër e cila solli përplasje mes firmës çeke dhe Shqipërisë ishin borxhet e shumta që institucionet shtetërore i kishin asaj, të cilat kapnin vlera të mëdha. Në këto kushte kompania u shpreh se nuk mundej të kryente detyrimin e saj për të importuar energjinë e cila humbte në rrjet për shkak të amortizimit të tij, të gjitha këto kosto iu lanë kesh-it dhe një pjesë e energjisë blihej me paratë e buxhetit. Kur CEZ vendosi të ndërpriste energjinë për disa kompani shtetërore në dhjetor të 2011-ës, dhe konkretisht të ujësjellësit atëherë nisi edhe lufta mes qeverisë sonë dhe çekëve. Një vit e gjysmë më parë enti rregullator hoqi licencën për CEZ dhe kompania e çoi çështjen e arbitrazh ndërkombëtar. Por edhe pse procedurat ligjore kërkonin që të bëhej një vlerësim in aseteve të lëna nga çeket, kjo u arrit vetëm muajt e fundit pas rotacionit të pushtetit. Një pikë mjaft e rëndësishme pasi mund t'i kushtojë vendit tonë humbjen e disa milionave euro.