http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Dy kambistë janë grabitur mëngjesin e sotëm në qytetin e Durrësit. Rajmond Sollaku dhe Arben Cuni janë goditur me sende të forta dhe më pas iu janë marrë të gjitha lekët që kanë pasur me vete. Ngjarja ka ndodhur në orën 08.24, siç bëjnë të ditur burime zyrtare të drejtorisë së Policisë së qarkut të Durrësit në qendër të qytetit aty ku është edhe tregu i palicensuar i kambistëve. Të dy kambistët kanë qenë në sheshin "Pranvera", aty ku qëndrojnë pjesa më e madhe e kambistëve, në kohën që ka ndodhur grabitja. Ata janë goditur me shkop bejsbolli, ndërkohë që njëri prej tyre ka pësuar dëmtime të shumta në kokë. Arben Cuni është dërguar në spital ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore nga mjekët e urgjencës. Nga të dhënat e para nga vendngjarja mësohet se grabitësit kanë qenë me një automjet fuoristradë tip "Land Rover", ndërsa njëri prej tyre ka qenë i veshur si komando. Pasi kanë rrëmbyer çantat ku mbanin lekët kambistët, janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja. Drejtoria e Policisë së qarkut Durrës ka nisur operacionin për identifikimin dhe kapjen e autorëve, duke ngritur postblloqe të shumta në kryqëzime të ndryshme të Durrësit dhe në drejtim të Tiranës. Zona e kërkimit të autorëve është shtrirë nga ajri edhe drejt zonës së Fushë Krujës, ndërkohë që në operacion janë përfshirë edhe forcat Renea. Këto janë pamjet e kërkimit me helikopterë në komunën e Bubqit dhe në fshatrat Mallkuq, Mazhë, Ishëm, Lalz,Gyricë, Bizë, Likmetaj, etj. Pak javë më parë, tre grabitës të veshur si babagjyshë grabitën një argjendari në një qendër tregtare në periferi të Tiranës, ndërkohë që dje policia njoftoi për shpërblim prej 10 mijë eurosh për informacione që çojnë në kapjen e tyre.