Durrës, vriten dhe digjen dy të rinj - News, Lajme - Vizion Plus

VizionPlusAlbania 2015-11-25

Views 12

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Dy të rinj janë vrarë dhe më pas janë djegur në një makinë mbrëmë rreth orës 23:00, në afërsi të ish-Kënetës në Durrës. Viktimat janë nga Fushë Kruja me inicialet A. Kasalla dhe Sh. Babasi, të moshës 27 dhe 34 vjeç. Trupat e tyre u gjetën pa jetë në automjetin e tyre, të cilit i ishte vënë flaka në rrugën e papërfunduar që nis nga mbikalimi i Shkozetit drejt Porto Romanos në Durrës. Pasi banorë të zonës kanë lajmëruar policinë për makinën që po digjej, efektivë të policisë së Durrësit dhe forca të zjarrfikëseve nxorën nga makina që digjej trupat e pajetë të dy të rinjve. Pas hetimeve të para u konstatua se viktimat ishin vrarë më parë me armë zjarri dhe më pas ishin futur në makinën e tyre, së cilës i ishte vënë flaka. Trupat e viktimave kanë qenë të vendosura njëri në sediljen e pasme dhe tjetri në bagazhin e autoveturës. Policia e Durrësit ka identifikuar vrasësit, ndërsa nuk jep detaje për identitetin e tyre. Për këtë ngjarje janë shoqëruar dy persona ndërsa janë pyetur më shumë se 40 të tjerë. Nga dëshmitë e para është mësuar se vrasja është kryer në këtë shtëpi, e cila është në pronësi të njërit prej autorëve të dyshuar. Në momentin e vrasjes në banesë veç autorëve dhe bashkëpunëtorëve në krim ndodheshin dhe gruaja e tij dhe pjesëtarë të tjerë të familjes, të cilët pas ngjarjes janë larguar dhe policia i ka skeduar në listën e personave që kanë dijeni për ngjarjen. Në banesën ku ka ndodhur vrasja janë gjetur gjurmë gjaku si dhe gëzhoja dhe hashash. Viktimat ishin njëri kamerier në një lokal dhe tjetri punëtor në një gurore. Trupat e tyre janë tërhequr sot në mëngjes nga familjarë të tyre në morgun e qytetit të Durrësit. Nga të dhënat e policisë, rezulton se dy viktimat janë persona me precedent të mëparshëm penalë, kryesisht për trafik të lëndëve narkotike. Mendohet se mes autorëve të mundshëm të ngjarjes dhe viktimave të ketë pasur më herët një sherr në banesën ku ka ndodhur vrasja për prishje pazaresh të trafikut të drogës. Ky është rasti i dytë brenda pak vitesh ku policia konstaton vrasjen dhe më pas djegien e personave brenda automjeteve në Durrës. Në 24 tetor të vitit 2011 oficeri i Shërbimit Informativ Shtetëror në Durrës, Isa Çopa, u gjet i djegur në automjetin tij në zonën midis Currilave dhe Kallmit, ngjarje e cila akoma nuk është zbardhur nga policia.

Share This Video


Download

  
Report form