DURRES- Dy djem të rinj nga Fushë-Kruja janë ekzekutuar me armë në një banesë në Shkozet dhe më pas janë transportuar me makinë në zonën e Ish-kënetës, ku dhe janë djegur brenda në makinë.
Krimi makabër është regjistruar mbrëmjen e djeshme, ndërsa policisë i është dashur gati 2 orë të nxjerrë nga makina trupat e karbonizuar
Makina tip Mercedez Benz' me targa AA930BJ është gjetur e shkrumbuar rreth orës 22:45 minuta të mbrëmjes së të enjtes (20 shkurt 2014), pranë tregut të makinave në zonën ku para viteve 1990 kanë qenë ish-vaskave e peshkut.
Mendohet se viktimat Albert Kasalla, 34 vjeç dhe Shaban Babasi, 27 vjeç nga Fushë Kruja, janë ekzekutuar me armë banesën e autorit në lagjen nr 14, në Shkozet dhe më pas janë transportuar me makinë (e cila i përkiste njërit prej viktimave) rreth 3 km më tutje, drejt zonës ku dhe i është vënë flaka makinës.
Trupat e djemve, janë gjetur të karbonizuar njëri në sediljen e pasme të mjetit dhe tjetri në bagazhin e makinës. Banesa ku ka ndodhur vrasja e dy të rinjve është në lagjen nr 14 në Shkozet dhe mendohet se është banesa e autorit të krimit makabër. Mendohet se vrasja ka ndodhur për prishje pazaresh. Në këtë banesë janë gjetur edhe 70 kg kanabis sativa. Në banesë u gjetën gjurmë gjaku. Banesa 1 katëshe ndodhet në një lagje me ndërtime të reja.Mësohet se Shaban Babasi punonte në një lokal në qendër të fshatit Kamberas, kurse Albert Kasalla punonte në një gurore në Fushë Krujë.