Sot vendimi për statusin e Shqipërisë - News, Lajme - Vizion Plus

VizionPlusAlbania 2015-11-24

Views 1

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Shqipëria pret sot një përgjigje për marrjen ose jo të statusit të vendit kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Ministrat e Jashtëm të BE-së, pritet të dalin në një përfundim pas takimit të sotëm, në të cilin do të vlerësojnë përparimin e Shqipërisë në fushën e integrimit. Takimi i ministrave të Këshillit Europian pritet të zgjasë deri në mbrëmje dhe pas diskutimeve, përfundimet do të bëhen të ditura në një konferencë për mediat, në të cilën mund të mësojmë edhe nëse e përfitojmë statusin kandidat apo jo. Burime nga Brukseli bëjnë me dije, se mundësitë për marrjen e statusit këtë dhjetor janë të pakta. Kjo, pas hezitimit të vendeve si Holanda kryesisht, por edhe Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe. Një skenar i mundshëm është ai që, ministrat do të vlerësojnë hapat e ndërmarrë nga vendi ynë, por do të kërkojnë thellim të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pas kësaj, do të mund të shprehin një mendim pozitiv, në qershor të vitit të ardhshëm. I pyetur nga gazetarët këtë paradite, para nisjes së takimit, ministri i Jashtëm i Holandës, Timermans tha se ende nuk është vendosur asgjë. Sipas tij, Këshilli Europian do të dalë me një qëndrim vetëm në përfundim të takimit. Holanda ka qenë një prej vendeve më skeptike sa i përket dhënies së statusit Shqipërisë. Javën e kaluar, Parlamenti holandez votoi që qeveria e këtij vendi të bllokojë statusin. Megjithatë, kryediplomati Timermans, pati deklaruar se Holanda nuk do të pengojë rrugën e Shqipërisë drejt BE-së, nëse do të jetë i vetmi shtet kundër. Më 16 tetor të këtij viti, Komisioni Europian rekomandoi vendet anëtare që Shqipërisë t'i jepet statusi kandidat, pa kushte. Pas kësaj, Komiteti i Jashtëm në PE, miratoi thuajse në unanimitet një rezolutë ku bëhej thirrje që Shqipërisë t'i jepet statusi. Rezoluta u miratua javën e kaluar edhe nga Parlamenti Europian.

Share This Video


Download

  
Report form