http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Këto janë pamje me të cilat po përballet shpesh muajt e fundit policia e Gjirokastrës, e cila njoftohet kryesisht nga banorët e zonave kufitare për ardhjen e emigrantëve klandestinë në zonat e tyre. Ky është një prej emigrantëve të shumtë nga Siria që e përdorin territorin shqiptar si tranzit për në vendet europiane, si Itali, Gjermani, etj. Ai tregon se ka dy muaj që është larguar nga zona e luftës në Siri dhe ka udhëtuar në këmbë drejt Turqisë, Greqisë dhe më pas Shqipërisë. Destinacioni i tij i radhës do të ishte Mali Zi dhe më pas Gjermania, por autoritetet shqiptare në bazë të marrëveshjes me palën greke do ta kthejnë atë pas në shtetin fqinj. Kurse ky tjetri është një emigrant nga Afganistani, që ndërmori një udhëtim të gjatë dhe të vështirë për të shkuar në Itali. Si këta të dy, edhe të tjerët që u kapën ditët e fundit, do të përcillen sërish prej andej nga hynë në Shqipëri, drejt Greqisë. Por si mundet që këta klandestinë dhe shumë të tjerë të futen në Shqipëri? Në fakt, ata pajisen në Greqi me dokumente udhëtimi dhe më pas nisen me autobusë të linjës drejt Shqipërisë, sigurisht të shoqëruar nga udhërrëfyes shqiptarë. Sipas vetë emigrantëve sapo ata kalojnë Kakavijën mundohen t'i shmangen përballjes me policinë shqiptare, ndaj dhe fillojnë të lëvizin në drejtim të Vlorës, Tiranës e Durrësit. Në shumë raste, grupet e lëvizjes variojnë nga 12 deri në 25 vetë por ka raste që ato arrijnë deri në 50 vetë në një natë të vetme. Për t'ju shmangur policisë ata kryesisht lëvizin natën përmes shtratit të lumit Drino. Në ujin e ftohtë Tepelenë, për te kaluar kontrollin policor, klandestinët kalojnë poshtë fshatit Hormovë, ndërsa në një rast ata kanë hapur me forcë një shtëpi për të marrë ushqim. Fenomeni i klandestinëve që përdorin territorin shqiptar për të kaluar në vendet e Europës perëndimore është shfaqur në muajin mars të këtij viti, kur është kapur edhe grupi i parë i tyre nga policia kufitare e Gjirokastrës. Pikun e vet ky fenomen e pati në muajt korrik dhe gusht. Deri tani janë ndaluar 1250 klandestinë, kryesisht nga vende si Siria, Afganistani, Irani dhe Eritrea. Grupet e para të klandestinëve përbëheshin vetëm nga meshkuj, por me pas, mes tyre u përfshinë edhe gra dhe familjarë me fëmijë. Lëvizja e klandestinëve në jug të vendit nuk është e rastësishme dhe e paorganizuar. Drejtoria e policisë Gjirokastër ka arrestuar 7 persona si të dyshuar në organizimin e këtij trafiku, ndërkohë që 8 të tjerë po hetohen në gjendje të lirë.