"Ligjvënësit në Shqipëri kanë votuar për të zëvendësuar një anëtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve përpara zgjedhjeve të përgjithshme më 23 qershor, duke nxitur kritika të ashpra nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara."
Ka qenë ky paragrafi i parë në një artikull të "Associated Press" për Shqipërinë, i publikuar edhe nga media të tjera të rëndësishme ndërkombëtare si "Washington Post", "Fox News", "Reuters" apo "Huffington Post". Në këtë mënyrë, ndryshimi i anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pas shumë orësh debati dhe situate të tensionuar në Kuvendin e Shqipërisë, ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Gazeta më e madhe në SHBA, "Washington Post", është ndalur më gjatë në këtë çështje, duke shkruajtur se Shqipëria ndryshon KQZ-në para zgjedhjeve, pavarësisht shqetësimeve të SHBA e BE. "Shqipëria post-komuniste, -vijohet më tej në artikull, ka dështuar në të kaluarën për të përmbushur standardet ndërkombëtare për zgjedhjet." "Washington Post" citon ambasadorin amerikan në Shqipëri, Aleksandër Arvizu, që një ditë më parë tha se ndryshimi i KQZ-së e vendos Shqipërinë në një kurs përplasjeje me komunitetin ndërkombëtar. Gazeta përmend edhe vizitën e shefes për Politikë të Jashtme në BE, Ketrin Eshton, që vjen në kohën kur në Shqipëri po përjetohet një situatë e nxehtë politike.