TIRANË- "Të gjithë ata që kanë zaptuar hapësirat publike në kryeqytet përveç gjobave për zënien,do të paguajnë edhe të gjitha shpenzimet e lirimit të tyre nga ana e punonjësve të Policisë Bashkiake"- këtë deklaratë e ka bërë sot nënkryetari i bashkisë Arbjan Mazniku gjatë një inspektimi për lirimin e hapësirave publike në Tiranë.
Në mbështetje të këtij aksioni, në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak të Tiranës do të kalojnë disa masa të reja ndëshkimore.
?Këto masa parashikojnë jo vetëm gjobitjen për personat, të cilët përdorin hapësirat publike apo dëmtojnë hapësirat publike, por edhe detyrimin ligjor për secilin prej këtyre individëve apo bizneseve, për të dëmshpërblyer dëmin e krijuar ndaj hapësirave publike dhe për t?i detyruar ata të marrin koston e rikthimit të këtyre hapësirave në gjendjen e mëparshme, në shërbim të qytetarëve?, theksoi Mazniku, duke shtuar se:
"Për mënyrën e pagesës së detyrimit dhe kostot që do t?i ngarkohen vandalizuesve të hapësirave publike, do të jetë Këshilli Bashkiak që do të përcaktojë në mënyrë të detajuar këto çështje. Ligji parashikon që, nëse një individ apo subjekt krijon një dëm ndaj hapësirave publike, jo vetëm që gjobitet për këtë çështje, por ka edhe detyrimin që të paguajë të gjithë koston e rikthimit të kësaj hapësire në gjendjen e saj të mëparshme, në shërbim të qytetarëve?, tha nënkryetari i Bashkisë së Tiranës"
Interesimit të medias nëse aksioni për lirimin e hapësirave publike është zhvendosur përtej njësisë nr. 5, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës iu përgjigj: ?Aksioni tashmë, ka filluar në disa zona dhe do të vijojë të shpërndahet në mënyrë sistematike në të gjithë sipërfaqen e Tiranës, në mënyrë që kudo ku ka hapësira që janë përdorur në mënyrë abuzive apo dëmtuar nga bizneset, të rikthehen në shërbim të qytetarëve?.
Në dy javët e para të aksionit për lirimin e hapësirave në njësinë nr. 5, Policia Bashkiake ka vendosur mbi 300 gjoba për individët a bizneset që kanë ndotur, zaptuar apo vandalizuar hapësirat publike.