TIRANË - Tre projektligjet për Forcat e Armatosura kanë kaluar në shqyrtim nen për nen në Komisionin për Çështjet Ligjore, ku deputetët e opozitës kanë qëndruar për pak çaste e më pas kanë braktisur punimet.
Projektiligjet e propozuara nga Ministrja e Mbrojtjes, të cilët pritet të marrin dhe miratimin e deputetëve, janë: ai për autoritetet dhe pushtetet e drejtimit të forcave të armatosura; për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura si dhe ai për Agjencinë e Inteligjencës dhe Mbrojties.
Për deputetin e mazhorancës Pirro Lutaj këto ndryshime ligjore nuk prekin aspak kompetencat e Presidentit, por shmangin atë që ka ndodhur në të kaluarën ku gjeneralët sipas tij janë emëruar për interesa të fushatave elektorale.
Lutaj tha: "Nuk është prekur asnjë kompetencë e Presidentit të Republikës. Unë e mirëkuptoj kolegun Mediu. Ka pasur një situatë të pakëndshme të Presidentit të Republikës me autoritetin e Ministrit të Mbrojtjes dhe Kryeministrit lidhur me trajtimin e gradave madhore. Mund t'ju kujtoj që janë bërë, gjeneralë fushatash elektorale. Po, propozimi i ka vajtur Presidentit të Republikës nga një ministër politik pas zgjedhjeve të 23 Qershorit, për katër gjeneralë, që janë edhe sot gjeneralë.
Ndërsa më parë këto projektligje kanë kaluar dhe në Komisionin e Sigurisë ku nuk ka munguar oponenca dhe nga vetë përfaqësuesit e mazhorancës. Luan Rama tha: "Në Kushtetutë thuhet që Presidenti i Republikës është Komandant i Përgjithshëm i FA-së," - por u ndërpre nga kryetari Braho që i tha të mos shpjegonte Kushtetutën.
"Nuk po shpjegoj Kushtetutën, z.Kryetar, por në Kushtetutë fiksohet ky atribut."- nënvizoi Rama. Atëherë Braho shtoi: "...në kohë paqeje!" duke u kundërshtuar sërish nga Rama: "Jo! Në kohë paqeje dhe kohë lufte!" Megjithatë Braho nuk u bind dhe tha sërish: Jo! Në kohë lufte jo!
Ish-Ministri i Mbrojties Fatmir Mediu pak para se të braktiste punimet e Komisionit deklaroi se ndryshimet që ai propozon nuk kanë qëllim politike, por janë teknike dhe të domosdoshme, duke kërkuar dhe bërjen e një ligji të veçantë për Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe mospërfshirjen me një nen brenda ligjit për Forcat e Armatosura, siç propozon Ministria e Mbrojties.