TIRANË - Mbërrin në Shqipëri helikopteri i tretë "Cougar" dhe për ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli kjo është një ngjarje e veçantë për Forcat e Armatosura. Pasditen e sotme në mjediset e Komandës së Forcave Ajrore në Rinas u zhvillua ceremonia e mbërritjes së helikopterit "Cougar".
Ky helikopter është i treti që i bashkohet Forcës Ajrore dhe është ndërtuar në zbatim të kontratës ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë dhe kompanisë franceze "Eurocopter", nënshkruar më 17 dhjetor të vitit 2009.
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm: ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Jeronim Bazo, gjeneralë dhe ushtarakë të tjerë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm dhe Forcave të Armatosura.
E pranishme ishte gjithashtu edhe ambasadorja e Republikës së Francës në Shqipëri, Christine Moro si dhe përfaqësues të kompanisë "Eurocopter".
Pas fjalës së hapjes që mbajti komandanti i Komandës së Forcës Ajrore, gjeneral brigade Frederik Beltoja, të pranishmit në ceremoni i përshëndeti ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli, e cila, ndër të tjera, e cilësoi këtë ngjarje tepër të veçantë për të gjithë Forcat e Armatosura.
"Pajisja e Forcave të Armatosura me helikopterët "Cougar", mundëson që Forca Ajrore të rrisë kapacitetet e saj operacionale, e parë kjo edhe në raport me objektivat e kapaciteteve që kjo Forcë duhet të zhvillojë në kuadrin e gjithë objektivave dhe kapaciteteve që Forcat tona të Armatosua duhet të përmbushin si detyrim ndaj Aleancës", theksoi ministrja Kodheli.
Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm dhe Forca Ajrore, janë përkujdesur për trajnimin e personelit që do të shërbejë në këta helikopterë, sipas standardeve më bashkëkohore të NATO.