PDSH-ja i ofron përkrahje pa kushte BDI-së nëse me të vërtetë Maqedonia anëtarësohet në NATO deri në shtator. Në të kundërtën, partia e Thaçit kërkon nga BDI-ja të lërë skenën politike dhe të ndërpresë premtimet e pafundme sipas tyre, që nga formimi i kësaj partie.
"Edhe pse jemi plotësisht të sigurt se jeni duke gënjyer rëndë se për 6 muaj Maqedonia do të jetë anëtare në NATO, themi publikisht se pot a bëni këtë edhe ne si PDSH ju përkrahim pa asnjë kusht. Por po mos ta bëni këtë, ju përfundimisht duhet të largoheni nga skena politike dhe të shkoni nëpër shtëpitë tuaja", deklaroi Imer Aliu, PDSH .
Imer Aliu thotë se madje edhe po të realizohet ky premtim, NATO nuk zgjidh çështjet etnike të shqiptarëve, sikur që nuk zgjodhi problemet e 1,5 milion turqve të Bullgarisë, shtet anëtare e NATO-s.
"E mira e gjithë kësaj është se ju jo vetëm që jeni, por edhe silleni si parti multi-etnike. Kërkesa për NATO dhe BE kanë edhe partitë maqedonase, turke, boshnjake, rome, vllahe, serbe. Të përkujtojmë se partitë politike shqiptare përveç NATO-s dhe BE-së kanë edhe kërkesa kombëtare, që këtu në Maqedoni shqiptarëve u mohohet", tha Imer Aliu, PDSH.
Reagimet e PDSH-së vijnë pas shpjegimeve të BDI-së, se marrëveshja e tillë për koalicion qeveritar me VMRO-në është 6 mujore, me të vetmin qëllim anëtarësim në NATO gjatë Samitit të shtatorit në Britani të Madhe. Sipas PDSH-së, edhe këta 6 muaj do të kalojnë sikurse 166 muajt e kaluar, që nga formimi i BDI-së. Benjamin Arifi