DIVJAKE- Transportuesi i drogës së gjetur në makinën "Mitsubishi" pranë avionit italian i tipit "Piper" i cili u ul pasditen e sotme në bregdetin e Divjakës, ka pranuar faktin se droga do të ngarkohej në avion. Piloti italain Giorgio Rifomato mohon të ketë lidhje me drogën. Në makinën e gjetur pranë avionit u sekuestruan 460 kilogramë hashash. Piloti italian Giorgio Riformato 56 vjeç nga Varese, rezulton me precedent të mëparshëm për mashtrim.
"Droga ishte për t'u ngarkuar në avion, dhe po përgatitej për t'u ngarkuar në avion tip 'Piper', të drejtuar nga Giorgio Riformato", tha Saimir Bajrami i pyetur nga një Prokuror i Krimeve të Rënda.
Ndërkaq, vijon të merret në pyetje piloti italian Giorgio Riformato, i cili sipas policisë ka qenë vetëm në avion.
Policia ka arrestuar edhe dy persona të tjerë për bllokimin e avionit, ndërsa po vazhdon hetimet intensive për përfshirjen e personave të tjerë.
POLICIA SEKUESTRON DOKUMENTET NGA ANTA DHE AVIACIONI CIVIL
Policia sekuestron edhe dokumente nga ANTA dhe Aviacioni Civil në aeroportin e Rinait për të gjithë hyrjet dhe daljet e avionëve gjatë muajve të fundit. Po kështu në aksion e policisë po sekuestrohen edhe të dhënat nga Kullat e Vrojtimit.
AVIONI I ULUR NE DIVJAKE, PRANE GJENDET MAKINA ME 460 KG DROGE
Fillimisht u tha se piloti, i cili tha se ndodhej për herë të parë në Shqipëri, kishte bërë ulje emergjente për shkak të një defekti, dhe se gjatë uljes avioni kishte pësuar dëmtime. Gjatë uljes avioni kishte pësuar dëmtim tek rrotat dhe helika.
Ndërkaq, disa orë më pas policia arrestoi edhe transportuesin e drogës me automjetin "Mitsubishi", i cili tentoi t'i ikte policisë. Në momentin e arrestimit mësohet se 35-vjeçarit Saimir Bajramit, iu gjetën dhe sekuestruan 27 mijë euro.
Dy të arrestuarit u shoqëruan në komisariat për t'u marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen.
Lidhur me ngjarjen ka reaguar Aviacioni Civil, duke theksuar se avioni i bllokuar në Divjakë ka leje fluturimi në hapësirën shqiptare. Sipas "Albcontrol", "Leja e fluturimit mban nr. 193 dhënë më 05.05. 2014".
Ndërkaq të dhënat e avionit të ndaluar tregojnë se ai është tip "Piper" Turbo i ndërtuar në vitin 1978, në pronësi "Fox Jet Airlines SRL" e rilicensuar në vitin 2011.?
Akuzat për avionë të përfshirë në trafik droge pikërisht në zonën e Divjakës të bëra nga Partia Demokratike, kanë ngjallur jo pak debate gjatë javëve të fundit.
KRIMET E RËNDA NGRENË AKUZËN PËR 2 TË ARRESTUARIT. NISHANI TAKON LLALLËN
Gjykata e Krimeve të Rënda ka regjistruar procedim penal për akuzën e "trafikut të narkotikëve e mbetur në tentativë", dhe ka ngritur akuzën për dy personat e arrestuar.
Ndërkaq, Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka thirrur në një takim urgjent Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla për t'u informuar lidhur me avionin e bllokuar.
Në Divjakë ka mbërritur një Prokuror i Krimeve të Rënda dhe një oficer i policisë, si dhe ka filluar marrja në pyetje e Giorgio Riformato dhe Saimir Bajramit.