Statistikat e publikuara nga tre institucione greke të luftës kundër krimit për muajin mars, kanë zbuluar se trafiku i marijuanës nga Shqipëria jo vetëm që nuk ndalet por sa shkon edhe bëhet më intensiv.
Konkretisht, në Greqi gjatë muajit mars janë sekuestruar plot 5 ton 433 kg marijuanë. Kjo është sasia më e madhe e kapur ndonjëherë në vendin fqinj brenda një muaji.
Analitiksht, 2 ton 477 kg janë kapur nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë greke, 2 ton e 81 kg janë kapur nga Forcat e luftës kundër krimit ekononik dhe 875 kg janë kapur nga roja bregdetare greke.
Shumica operacioneve antidrogë janë zhvilluar në zonat kufitare si Igumenicë, Janinë e Prevezë e më pas në Athinë, Selanik e Kostur. Policia greke thotë se pothuajse e gjithë sasia me përjashtime tepër të vogla, vinte nga Shqipëria dhe për këtë janë goditur disa grupe kriminale të përbëra kryesisht nga shtetas shqiptarë.
Krahasuar me muajin shkurt, sasia e sekuestruar është gati dyfish më e lartë, duke treguar se trafiku i drogës në linjë Shqipëri-Greqi është intensifikuar së tepërmi.
Në total, në tre muajt e parë të këtij viti, policia greke ka sekuestruar rreth 10.5 ton marijuanë, ndërkohë që gjatë gjithë vitit të kaluar sekuestroi rreth 18 ton. Ritmi i deritanishëm tregon se ka tendenca që kjo shifër të tejkalohet së tepërmi.