TIRANË - Opozita në komisionin hetimor parlamentar ka ngritur pretendimin se po zvarritet puna për hetimin e largimeve, emërimeve dhe transferimeve që janë bërë në Policinë e Shtetit. Sipas tyre Drejtoria e Policisë së Shtetit nuk ka vënë në dispozicion të gjitha dosjet.
Në këto kushte komisioni ka vendosur një tjetër afat për këtë institucion dhe sipas tyre, deri në fundin e kësaj jave duhet të vij i gjithë informacioni i kërkuar. Por këto pretendime janë kundërshtuar nga mazhoranca me argumentin se dosjet e të larguarve nga policia janë gati.
Anëtari demokrat i komisionit, Flamur Noka deklaroi se, ka gati 3 javë që ky komision ka nisur punën dhe nuk kanë ardhur materialet. "Po shkojnë 3 javë tej afatit që duhej të ishin sjellë këto dokumente që ende nuk kanë ardhur. Edhe pak ai dokumentacion që ka ardhur për lirimet ka ardhur i cunguar dhe për këtë e konsiderojmë jo serioze sjelljen e policisë dhe Ministrisë së Brendshme", u shpreh Noka.
Ndërsa nënkryetari i komisionit, deputeti socialist, Taulant Balla tha se, dokumentacioni i mbërritur krijon një pamje për pjesën e largimeve. "Dokumentacioni i ardhur na krijon një panoramë për largimet nga policia që janë 384", tha Balla.
Ndërsa deputeti tjetër i majtë, Paulin Sterkaj tha se, lëvizjet janë bërë për 6 muaj dhe nuk mund të vijnë në komision për 6 ditë. "Lëvizjet janë bërë për 6 muaj dhe nuk mund të gjitha këto shkresa për 6 ditë. Ju nuk duhej ta linit 13 ditë por ditën e 7 duhej ta mblidhnit komisionin. Në këtë mënyrë duket sikur ju doni me e futë në grackë", deklaroi Sterkaj.
Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka ka propozuar në këtë seancë po ashtu se duhet të kërkohet informacion nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar nëse drejtuesit e lartë të policisë janë të pajisur me certifikatë sigurie.
Me konsensus të mazhorancës dhe opozitë komisioni vendosi po ashtu që të jenë 4 specialistë jurist që do të merren me vërtetimin dhe seleksionimin e materialeve.