Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare shprehen të ndarë rreth një skenari ukrainas në Maqedoni. Sipas profesorit Mersel Bilalli, një mundësi e tillë e kulmimit të pakënaqësisë mund të vijë nëse zgjedhjet e tanishme shpallen jo demokratike. Rast akoma më bindës është nëse integrimet euro-atlantike të vendit vazhdojnë të mbeten të bllokuara. Bilalli paralajmëron edhe krizën e ardhshme ekonomike, e cila sipas tij do të thellohet kur Maqedonia duhet të kthejë borxhet dhe kreditë nga huat e marra.
"Mund të ndodh menjëherë pas samitit të NATO-s, me ç'rast shembet kufiri psikologjik i tolerancës në lidhje me bllokimin e proceseve integruese. E treta do të ndodh vitin e ardhshëm, Maqedonia për shkak të hyrjes thellë në borxhe duhet të ktheje afro 700 milion euro,me ç'rast është një avari financiar dhe të gjitha këto kur ti kemi parasysh duhet të organizohem shumë më mirë që të përballojmë këto furtuna që do të ndodhin", tha Mersel Billali, profesor.
Megjithatë për ish ambasadorin Risto Nikovski, skenari i Kievit nuk mund të ndodh në Maqedoni. Sipas tij, në Ukrainë kemi të bëjmë me konfrontim interesash mes SHBA-së dhe Rusisë, luftë për ndikim, që mund të çojë madje në luftë të re të ftohtë, por ky skenar as që diskutohet në Maqedoni.
"Situata në Maqedoni është plotësisht ndryshe. Ne kemi dallime të brendshme rreth integrimeve evropiane, edhe pse nuk janë thelbësore por taktike. Të gjitha forcat politike në vend duhet të kuptojnë se në vend mbizotëron një konsensus i jashtëzakonshëm për nevojën që Maqedonia të integrohet sa më shpejtë në NATO dhe BE. Kjo paraqet një pikënisje të mirë, por forca të caktuara politike duhet të kuptojnë se çmimi i këtyre integrimeve nuk mund të jetë fshirja e kombit maqedonas", deklaroi Risto Nikovski, ish ambasador.
Për Nikovskin, skenari i tillë si ai i Kievit mund të ndodhë në Shkup vetëm nëse bëhet riemërtimi i kombit maqedonas. Sipas tij madje kërkesa e kreut të BDI-së Ali Ahmeti që emri të zgjidhet deri në shtator, nuk shkon në të mirë të stabilitetin të vendit. Semra Jakupi