Analistët: Incidentet skenar i qarqeve të caktuara politike

alsatmtv 2015-08-21

Views 3

Incidentet e fundit ndëretnike në Maqedoni mund edhe të jenë skenar i orkestruar nga qarqe të ndryshme politike. Këtë mundësi nuk e përjashtojnë analistët, të cilët theksojnë se në fushatë parazgjedhore, incidentet e tilla përdoren për të mjegulluar arsyen tek popullata, duke bërë që në sipërfaqe të dalin emocionet që nxisnin kahjen e votimit. Analistët Rizvan Sulejmani dhe Petar Arsovski janë të pajtimit se metoda të tilla përdoren kur partitë politike kanë mungesë të programit, vizioneve dhe kandidatëve cilësor.

"Ka shumë incidente që tregojnë se megjithatë kjo që ndodh në Maqedoni, duket se ka qendra të caktuara, duket se ka një koordinim të caktuar, në mënyrë direkte apo indirekte. Pa marrë parasysh se prej cilës anë paraqitet dhuna, veçanërisht kur ajo mban parashtesën "nacionale", gjithsesi se ngre në maksimum ndjenjat e njeriut dhe e gjithë kjo mjegullon arsyen. Kurse neve na duhet që në fushatë njerëzit të gjykojnë me arsye, sepse vetëm njeriu me gjendje të relaksuar maksimale, ku arsyeja ka vendin kryesor dhe jo emocionet, mund të bëjë zgjedhjen e duhur", tha Rizvan Sulejmani, analist.

Arsovski thekson se është e pashmangshme që tensionet e krijuara nga faktorë të ndryshëm tek qytetarët, partitë politike t'i lënë pa shfrytëzuar.

"Nuk përjashtohet mundësia që disa parti politike të përpiqen të shfrytëzojnë momentin. Më së shpeshti, incidentet e tilla, aktivitetet e tilla në terren janë prodhim i mungesës së ofertës autentike të partive. Kur nuk kanë program, kur nuk kanë kandidatë, ata zbatojnë metoda të tilla. Atmosfera e cila mbizotëron, në situatë të krizës politike e kështu me radhë, prodhon tension te popullata. Kur kemi tensione të tilla, është e pashmangshme që ndonjëra nga partitë politike të përpiqet ti shfrytëzon këto tensione", u shpreh Petar Arsovski, analist.

Komentet e analistëve vijnë pas incidenteve të fundit dhe dyshimeve të ngritura në opinion, për shkallën e zgjerimit të tyre pikërisht në momente fushate parazgjedhore. Tendencioz është edhe fakti se persona të maskuar kryesisht sulmojnë fëmijë dhe femra, madje në lagje të komunës së Çairit. Benjamin Arifi

Share This Video


Download

  
Report form