Vendimi i LSDM-së për tërheqjen e anëtarëve të saj nga grupi punues dhe nga Bashkësia e Njësive të vetëqeverisjes lokale komentohet në forma të ndryshme nga analistët politik në vend. Për profesorin universitar Mersel Bilalli, masat që i paralajmëron opozita janë normale. Ai vlerëson se aq më shumë që humb besueshmërinë VMRO DPMNE-ja, kjo parti tregon nervozizëm dhe nxit reagimin e opozitës.
"Për fat të keq pra struktura e VMRO-DPME-së qëron hesapet me opozitën përmes metodave jo-demokratike shpesh edhe përmes metodave joligjore. Madje shpesh kjo i ngjason një politike mesjetare të ndjekjes së shtrigave. Jam i bindur se e gjithë kjo do ta dramatizon gjendjen politike në vend, dhe qëllimi i saj me siguri është që tani kur duket e do të ndeshemi edhe me një dështim në proceset euro-integruese të gjendet fajtor ditor i cili do ta mbante. Megjithatë pasojat e një politike të tillë praktikisht i përjetojmë gjithë ne qytetarët", tha Mersel Bilalli, analist politik.
Për dallim nga Bilalli, analisti Jove Kekenovski thotë se hapi i këtillë i LSDM-së është i përshpejtuar pasi pamundëson organet e hetuesisë që ta thonë fjalën e tyre të fundit. Kekenoski madje shprehet i bindur se vendimi i LSDM-së sidomos për tërheqjen e anëtarëve të saj nga grupi punues, mund të ndikojë në perspektivën evropiane të vendit.
"Nuk e di se ku qëndron shkaku që në një situatë të këtillë të përzihen politika dhe kriminaliteti. Unë e di se vlen prezumcioni i pafajësisë, megjithatë le ti lejojnë Shipoviqit që të paraqitet para organeve të hetuesisë dhe ta dëshmoj pafajësinë e tij. Kështu po del sikur politika po vihet në mbrojtje të atyre njerëzve të cilët ndoshta, them ndoshta sepse akoma vlen prezumcioni i pafajësisë dhe ai duhet ta tregoj pafajësinë e tyre para organeve kompetente të republikës së Maqedonisë", u shpreh Jove Kekenovski, analist politik.
Sipas Bilallit dhe Kekenovski, përplasjet mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së thellojnë edhe më tepër krizën politike në vend, posaçërisht në kohën kur kjo është më pak e nevojshme. Bedri Rexhallari