Analistët të ndarë për lobimet e BDI-së

alsatmtv 2015-08-21

Views 0

Analistët shprehen të ndarë rreth fushatës lobuese që vazhdon BDI-ja. Duke komentuar vizitat e fundit të kreut të BDI-së Ahmeti, Naser Zyberi shprehet se këto lëvizje duken si kokë më vete. Ahmeti është lider partie, dhe jo hallkë qeveritare, me përgjegjësinë unike dhe të tërësishme për lobim në emër të qeverisë. Nga ana tjetër, prapëseprapë Zyberi thotë se Ahmeti ka edhe përfitim vetjak në emrin e partisë së tij, për të kënaqur mbështetësit e tij. Duke e quajtur si një sistem paralel, Zyberi shpreh shqetësimin se në rast të nervozimit të Gruevskit, kjo mund të çojë edhe në zgjedhje të parakohshme. Vladimir Bozhinovski nga ana tjetër, thotë se BDI-ja është një nga 4 partitë më të rëndësishme, dhe si e tillë mund të ndihmojë vetën më përmirësim, dhe jo përkeqësim të klimës me fqinjët.

"Unë nuk mendoj që janë të koordinuar deri në atë masë për të thënë se kjo është një politikë e harmonizuar tërësisht, aq më tepër kur duhet kuptuar një çështje që zoti Ahmeti është lider i një partie dhe deputet, ai nuk ka cilësinë e të qenurit ministër, nënkryetar qeverie apo cilësi tjetër e cila sipas pozitës e bën atë të obligueshëm për ndërmarrjen e këtyre aktiviteteve. ....Çështja e dytë mendoj që mund të jetë një politikë paralele e këtyre dy subjekteve, jo vetëm për t'i ushqyer militantët e vet se njëri nuk donë, tjetri donë.... por edhe një paralajmërim për zgjedhje eventuale të parakohshme. ... Si rezultat i mospërputhjeve të këtyre dy politikave paralele vjen deri te bllokada e sistemit dhe shpallja e zgjedhjeve të parakohshme", tha Naser Zyberi, analist politik.

Për Bozhinovskin, BDI ka autoritet dhe mundësi, së pari si partnere në qeveri dhe së dyti, si një ndër 4 forcat më të mëdha politike, për të lobuar, aq më tepër kur ky lobim i shkon për shtat edhe Maqedonisë, edhe fqinjësisë së mirë, si dhe ngrohjes së klimës për çështjen e emrit.

"Megjithatë BDI është një nga 4 partitë më të mëdha në Maqedoni, dhe secila vizitë që ka për qëllim përmirësimin e marrëdhënieve duhet të vështrohet nga një këndvështrim pozitiv. Mendoj se kjo është në linjë edhe me angazhimin e qeverisë dhe VMRO DPMNE por edhe opozita siç është LSDM. Prandaj kapërcimi i mosmarrëveshjeve që kemi me Bullgarinë, të cilat nuk duhet të jenë aq problematike sepse dallon nga ajo që na ndodh me Greqinë duhet të shihet vetëm si pozitiv", deklaroi Vlladimir Bozhinovski, analist.

Në kohën kur Ahmeti dhe eksponentë të tjerë të BDI-së vazhdon fushatën diplomatike, Gruevski pranon hapur një ftohje marrëdhëniesh me partnerin e koalicionit, pro garanton se këto tërmete brenda qeveritare nuk e kërcënojnë rrëzimin e saj. Semra Jakupi

Share This Video


Download

  
Report form