VLORE- Përshkallëzohet protesta e furgonëve 8+1 në thuajse të gjitha rrethet e vendit. Në Vlorë furgonët kanë bllokuar përkohësisht autostradën Vlorë-Fier, por ky fakt ka irrituar qytetarët, të cilët janë shprehur kundër protestës së tyre. Ata thonë se protesta e drejtuesve të furgonëve nuk ka sens, pasi kundërshtojnë një ligj që ka hyrë në fuqi prej vitesh, ndërsa si mundësi alternative kanë zgjedhur autobusët.
Pavarësisht kësaj situate numri i furgonëve të palicencuar ka ardhur gjithnjë e në rritje që operojnë në rrethin Vlorës me destinacione në rrethe të tjera të vendit.
Protesta e furgonëve 8+1 nuk është mirëpritur nga qytetarët të cilët fajësojnë kryesisht sindikatat e transportit publik që kundërshtojnë një ligj pas disa vitesh i hyrë në fuqi.
Në qytetin e Vlorë numërohen rreth 260 furgona të licencuar të cilët shërbejnë në transportin interurban dhe mbi 100 të tjerë informalë. Protesta ka patur edhe në rrethe të tjera të vendit, kundër informalitetit nga furgonët me targa të verdha, si dhe nenit që nuk lejon furgonët të marrin pasagjerë në kthim.