TIRANE- Pas gati 7 orësh është mbyllur protesta e drejtuesve të furgonave 8+1, të cilët i kanë kërkuar qeverisë të anulojë ligjin e vitit 1998, që i ndalon ata të kthehen me pasagjerë drejt destinacioneve e tyre. Fillimisht, në orët e paradites shoferët bllokuan për më shumë se 2 orë dy akset hyrëse në Tiranë dhe më pas u zhvendosën drejt kryeministrisë, ku protestuar deri në orën 16:30. Përmes ministrit të Transportit qeveria deklaron se protesta është e drejtë dhe do të zbatohet vetëm ligji.
Ajo çka u vu re ishte se eksponentë të lartë të PD-së, mes tyre 4 ish-ministra, ishin në krye të protestës së shoferëve të furgonëve 8+1 të cilët gjatë paradites bllokuan "Rrugën e Elbasanit", pranë "Qytetit Studenti", por dhe "Zogun e Zi" në Tiranë. Këta të fundit kërkuan të protestonin para kryeministrisë me furgona, por s'i lejoi policia pasi leja e protestës ishte marrë për drejtuesit e shoferëve dhe jo për mjetet në shesh.
Me protestuesit në rrugën e Elbasanit ishin ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, Luçiano Boçi, dhe ish- ministri i Brendshëm Flamur Noka. Ndërkohë me protestuesit te "Zogu i Zi", në rrugën "Dritan Hoxha" ishin deputetët e PD-së Gent Strazimiri, ish ministri i Drejtësisë Eduard Halimi dhe ish ministri i Jashtëm Aldo Bumçi. Ndërsa në protestën para kryeministrisë u pa vetëm deputeti i PD-së i qarkut Elbasan Luçiano Boçi.
Nga ora 13:00 deri në orën 16:30 drejtuesit e furgonave protestuan para kryeministrisë. Ndërsa më parë kishin bllokuar akset hyrëse për më shumë se 2 orë.
Gjatë protestës, pati dhe situata tensioni sidomos në rrugën e Elbasanit, ku protestuesit bllokuan rrugën dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të cilët disa herë u përpoqën t'i largojnë protestuesit nga rruga pasi po shkelnin ligjin. Ndërsa tek Zogu i Zi, rruga "Dritan Hoxha" u bllokua kahu i rrugës nga hyjnë makinat nga veriu e Durrësi të hyjnë në Tiranë, ndërsa në kahun tjetër, pra nga dalin nga makinat nga Tirana, kishte trafik.
Gjatë protestës pati edhe thirrje për të rrëzuar qeverinë Rama-Meta.