TIRANE- Ndahet nga jeta në moshën 75-vjeçare poeti i mirënjohur shqiptar Gjok Beci. Poeti i vlerësuar edhe në fushën e muzikës, vuante nga një sëmundje e rëndë, ndërsa mësohet se prej disa ditësh ishte i shtruar në spitalin Ushtarak.
Poeti Gjok Beci është dekoruar me titullin "Mjeshtër i Madh i Punës" në vitin 2009, nga ish-Presidenti Bamir Topi.
Poeti Gjok Beci, "Mjeshtër i Madh i Punës" është i njohur për krijimtarinë e tij skrupuloze në vargje. Shpesh vargjet që bënte për këngët popullore shkruheshin jo me emrin e tij, por "Populli". Vargjet e poetit Gjok Beci kanë qenë emblema e qëndresës së Kombit shqiptar ndër dekada, me një prirje të veçantë për t'u kënduar me melodi popullore dhe muzikë të lehtë.
Poeti nisi vargjet me metaforën e bjeshkës që ka qenë muza e poezisë së Gjok Becit. Krijimtaria e tij poetike ka zënë fill në vitet '70, kur ai publikon vëllimin poetik "Kur zgjohen bjeshkët". Ka pasur një periudhë mbi 10-vjeçare censurimi të krijimtarisë pas viteve '70, por pastaj tekstet e tij nisën të marrin jetë sërish në festivalet kombëtare. Pas kapërcimit të kësaj periudhe të vështirë në jetën e tij, poeti Gjok Beci ka botuar librin e tij të dytë poetik, "Zambaku im" në vitin 1990.
Pjesa më madhe e poezive të këtij libri janë bërë tekste këngësh të kënduara në festivalet kombëtare. Ai është njohur veçanërisht si poet i këngës, por gjatë regjimit të diktaturës i është ndaluar të dilte me këngët e tij në festivalet kombëtare të folkut dhe muzikës popullore të përpunuar.
Prej më shumë se 20 vjetësh poezitë e tij nuk do të botoheshin as në shtypin letrar, as edhe libra. Pas '90-s botoi një seri me vëllime poetike, si:"Qiell e Dhe", "Antologjia e Shpirtit" (1, 2)dhe "Thuj vetes ec", etj. Është autori i këngës "Rrjedh në këngë dhe ligjërime", kënga-hit, e cila është kënduar nga këngëtarja e madhe Vaçe Zela me muzikë të Fehim Ibrahimit.