LUSHNJË- Lagjia ku ndodhet shtëpia e këngëtares Vaçe Zela në Lushnjë do të marrë emrin e saj dhe shtëpia ku këngëtarja u lind dhe rrit do të bëhet muze.
Këtë gjë ka pohuar sot kryetari i bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe.
Shtëpia ku u lind dhe u rrit ikona e muzikës shqiptare, Vaçe Zela është shndërruar në një godinë të braktisur. Banesa e vogël, jo vetëm që nuk është mirëmbajtur, por është lënë në harresë nga pronarët aktualë, të cilët e kanë blerë atë disa vite më parë.
Ndërkohë, ndarja nga jeta e këngëtares së madhe Vaçe Zela ka shkaktuar hidhërim të madh tek familjarë dhe banorë të zonës ku ajo u rrit.
Madje, ata kujtojnë me nostalgji momentet kur Vaçja këndonte jo vetëm për kënaqësinë e spektatorëve në festivale, por këngën e saj e shijonin edhe pacientët e sëmurë, për shkak se banesa e saj ishte pranë spitalit të Lushnjës.