TIRANË - Arrestohet në Tiranë, për kontrabandë ilaçesh nga Italia në Shqipëri, djali i xhaxhait të ish-ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami.
Burime nga policia e Tiranës kanë bërë të ditur sot se, nga oficerët e luftës ndaj krimit ekonomik është arrestuar Bardhyl Imami, 50 vjeç, pasi furnizonte farmacitë me ilaçe kontrabandë.
Sipas policisë, arrestimi i Imamit është bërë nga strukturat Kundër Krimit Ekonomik në Policinë e Tiranës, gjatë operacionit policor të koduar "Medikamenti I".
Ndaj Bardhyl Imamit janë ngritur akuzat, "tregëtimi dhe transportimi i mallrave kondrabandë" dhe "ruatja apo depozitimi i mallrave kondrabandë".
Imami dyshohet se për një periudhë 3 vjeçare ka ushtruar aktivitetin e kondrabandës në tregëtimin e ilaçeve, me origjinë nga Italia.
Nga hetimi gjithashtu është dokumentuar implikimi i tij, në shpërndarjen dhe tregëtimin ambulator të farmarcive të ndryshme në Tiranë. Po ashtu ky person, dyshohet se tregtonte edhe medikamente për shërbim spitalor falas.
Gjatë aksionit, në cilësinë e provave materiale shtetasit të sipërcituar ju sekuestrua një sasi e konsiderueshme ilaçesh të ndryshme për shërimin e diagnozave të diabetit, zemrës, tensionit, syrit, antibiotik etj, medikamente të cilat arrijnë e vlerën e 11 mijë eurove.
Po ashtu këtij shtetasi, ju u sekuestrua një shumë e konsiderueshme parash si: 700 mijë lekë të rinj, 5500 Paund, 7500 euro, 100 Dollarë si dhe një automjet në pronësi të tij.