Vëllai i kryetarit të Bashkisë së Roskovecit në Fier, ka qenë një ndër 30 personat e arrestuar gjatë megaoperaciot të policisë italiane për shkatërrimin e një rrjeti të trafikut të prostitucionit dhe drogave nga Shqipëria në Apenine. Në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar në Shqipëri 6 shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar, si pjesë e një organizate kriminale, e cila merrej me shfrytëzimin e femrave për prostitucion, si dhe me trafikimin e narkotikëve.
Mediat italiane raportojnë se është dashur 1 vit hetime për të dokumentatuar aktivitetin dhe vënë në pranga pjesëtarët e bandës së prosticionit.
Operacioni konfirmohet nga Policia e Shtetit, që bën të ditur se Eugen Çaushi, vëllai i kreut të Bashkisë së Roskovecit, Gëzim Çaushaj, u arrestua në Tiranë, pas kërkesës së autoriteteve italiane, për qëllim ekstradimi.
Të njëjtat burime thanë se të arrestuarit akuzohen se trafikonin femra për qëllime prostitucioni në drejtim të Italisë, ku shfrytëzoheshin në rrugë dhe shpesh herë këta persona i dhunonin vajzat të cilat refuzonin të prostituonin.
30-vjeçari Eugen Çaushi është arrestuar disa muaj më parë nga policia e Fierit, pasi në fushatën elektorale të zgjedhjeve më 23 qershor të vitit të kaluar ky shtetas dhunoi kandidatin e FRD-s, Mitat Hoxha.
Sipas zëdhënëses së Policisë së Shtetit Laura Totraku, në Shqipëri janë arrestuar 7 persona, nga të cilët Eugen Çaushi, Igli Metushi, Gazmir Shkurtaj, Daniel Lika, Eduarto Hoxha, Kreshnik Bendo dhe Edër Dorzi.
Operacioni i koduar "Tempesta" i koordinuar nga Prokuroria e Milanos, është zhvilluar në bashkëpunim me autoritet Policore Italiane, Greke dhe Rumune.