TIRANË - Skuadra e operacioneve speciale e Drejtorisë së Policisë së Tiranës ka ndërhyrë në momentin e duhur duke kapur brenda një automjeti, pesë persona të armatosur dhe të përgatitur për kryerjen e një vrasjeje në kryeqytet.
Aksioni i policisë u krye rreth orës 8:00 të së enjtes në afërsi të Kamzës. Katër vellëzërit Gëzim, Besnik, Agron dhe Sajmir Prelaj respektivisht, 41, 39, 37 dhe 31 vjeç, si edhe Xhevahir Hoxha, 27 vjeç, u gjetën brenda automjetit tip Benz me targa të Tiranës 3124 L.
Sipas policisë, të arrestuarit kishin organizuar dhe do të ekzekutonin 43-vjeçarin Nik M., me të cilin kishin një konflikt të hershëm.
Policia sekuestroi një pistoletë TT, doreza metalike dhe leva hekuri me të cilat do të sulmonin 43-vjeçarin.
Të njëjtat burime thanë se vëllezërit Prelaj dhe 43-vjeçari janë konfliktuar dhe rrahur 3 muaj më parë, ndërsa vlerësimi i situatës dhe konfliktit të tyre solli që policia të zbulonte momentin kur do të kryhej sulmi hakmarrës.