A1 Report - Kosove, Thaçi riformaton qeverine Ikin ministrat e skandaleve

Report TV 2015-08-21

Views 2

Vetëm pak muaj përpara zgjedhjeve të përgjithshme, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi pritet të riformatojë qeverinë. E përditshmja Zëri raporton se kreu i ekzekutivit po diskuton me partnerët për ndryshimin e disa ministrave dhe zëvendësministrave, të cilët nuk kanë pasur performancë të kënaqshme apo kanë qenë të përfshirë në skandale të ndryshme. Diskutimet për riformatim i ka konfirmuar edhe zëvendëskryeministri Behxhet Pacolli.

Kryeministri Hashim Thaçi po diskuton me partnerët e koalicionit për riformatim të Qeverisë, pak muaj para mbajtjes së zgjedhjeve të pergjithshme në Kosovë. Lajmi raportohet nga e përditshmja Zëri që i referohet burimeve brenda ekzekutivit, sipas të cilëve kreu i qeverisë ka vendosur të zëvendësojë disa ministra e zëvendësministra, të cilët nuk kanë pasur performancë të kënaqshme dhe kanë qenë të përfshirë në skandale të ndryshme.

Po sipas këtyre burimeve, reformatimi bëhet me qëllim të përmirësimit të imazhit të ekzekutivit. Edhe partneri i koalicionit i kryeministrit Thaçi, zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, i cili njëherit është edhe lider i AKR-së, ka konfirmuar për gazetën "Zëri" se kanë vendosur të zëvëndësojnë disa ministra e zëvendësministrave, me figura të reja politike.

"Është e vërtetë se jemi duke diskutuar me kryeministrin për riformatimin e Qeverisë. Sigurisht se me këtë rast do të ketë ndërrime të posteve të ndryshme, përfshirë ministra e zëvendësministra, ku posti i secilit mund të përfshihet në këtë ndryshim dhe mund t'iu them se askush nuk e ka pozitën të sigurt në Qeveri", ka pohuar Pacolli.

Sipas tij, në poste të ministrave do të emërohen profesionistët, duke filluar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, e cila po udhëhiqet nga një ushtrues detyre (pas zgjedhjes së Mimoza Kusari- Lilës në krye të Gjakovës), por edhe të ministrive të tjera.

Ndërsa bashkëpunëtori më i afërt i kryeministrit Hashim Thaçi, ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka thënë se nuk ka ndonjë informacion nëse do të ketë riformatim të qeverisë. Ndërkaq analistët në Prishtinë, thonë se ndryshimi i disa ministrave nuk ndryshon asgjë në mënyrën e qeverisjes, e aq më pak kur ato bëhen në vitin e fundit të mandatit qeverisës.

Share This Video


Download

  
Report form