Tre kambistë janë grabitur mëngjesin e sotëm rreth orës 08:15 në qendër të qytetit në vendin e njohur si "valuta" tek sheshi "Pranvera" në Durrës, nga tre persona të armatosur që udhëtonin me një makinë me shenja policie.
Policia ka bërë të ditur se autorët e grabitjes janë një grup kriminal i organizuar, të cilët ishin të veshur me rroba të forcave komando të ushtrisë dhe me veshje antiplumb dhe me armë automatike e shkopinj beizbolli.
ORA 10:55 KËRKIME PËR AUTORËT EDHE ME HELIKOPTER
Vazhdojnë me intensitet kërkimet për të kapur personat që grabitën mëngjesin e sotëm 3 kambistë në Durrës. Burime nga Policia e Durrësit, thanë se janë ngritur postblloqe në Fushë Krujë, Bubq, në zona të tjera.
Në aksion është përfshirë dhe një helikopter i policisë si dhe forcat speciale RENEA, që kanë nisur kontrolle në një perimetër të gjerë. Burime nga uniformat blu në Durrës thanë se, kërkimet janë duke u bërë me të gjitha mënyrat e mundshme.
GRABITEN ME ARME TRE KAMBISTE
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:15 minuta sapo kambistët, Rajmond Çollaku, Arben Çuni dhe Hajdar Lala, kanë dalë nga një bankë ku kishin bërë edhe tërheqjen e parave, që mësohet se është një shumë e madhe.
Siç raporton nga Durrësi, korrespondenti i A1 Report dhe Shqiptarja.com, Artur Korriku, nga rindërtimi i ngjarjes, policia ka mësuar se, Arben Çuni, i cili është edhe kambisti që ka mbetur i plagosur ka pasur edhe çantën me para. Në kohën kur janë sulmuar, dy kambistët e tjerë, Çollaku dhe Lala, kanë bërë rezistencë, ndërsa Çuni mësohet se është larguar me vrap.
Grabitësit duke parë largimin e tij, me një çantë në dorë, e kanë ndjekur atë dhe në momentin që e kanë arritur e kanë goditur me një shkop beizbolli dhe i kanë marrë shumën e parave, që ende nuk është mësuar se sa është. Njëri prej grabitësve mësohet se ka pasur një armë automatike kallashnikov.
Burime nga Policia e Durrësit kanë bërë të ditur se, tre grabitësit ishin duke udhëtuar me një makinë tip "Land Rover" me targa angleze me xhama të zinj dhe dyshohet se ka pasur edhe fenelinë policie, që janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Menjëherë sapo kanë marrë informacionin, forca të shumta policie janë vënë në kërkim të autorëve të cilët ende nuk janë identifikuar.
Gjatë ndjekjes, autorët e grabitjes kanë përplasur edhe makinën e policisë në Sukth, në kohën kur uniformat blu ishin duke i ndjekuar nga pas. Policia ka ngritur posblloqe të shumta në rrugë, ndërsa po bëhen kërkime edhe jashtë qarkut të Durrësit.
Kambisti i plagosur është dërguar në spitalin e Durrësit ku ka marrë edhe ndihmën mjekësore. Specialisti e policisë janë duke marrë dëshmitë e tre kambistëve të grabitur për të bërë të mundur identifikimin e grabitësve.