TIRANË - Në prag të festave të fundvitit, kryeministri i vendit, Edi Rama dhe ministria e mbrojtjes, Mimi Kodheli kanë uruar ushtarakët tanë në Afganistan.
Përmes një video konference, drejtuesit e qeverisë shqiptare dhe shefi i shtabit të përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Jeronim Bazo, shprehen mirënjohejen e tyre për kontributin e madh që japin trupat tonë në misionet të ndryshme nëpër botë.
Në këtë ceremoni ishin gjithashtu të pranishëm drejtues të FA, prindër, bashkëshorte dhe fëmijë të ushtarakëve që janë me mision në Afganistan.
Kryeministri, Edi Rama duke iu drejtuar trupave tona paqeruajtëse në Afganistan, u shpreh: "Është krenari që ne, një vend i vogël, përmes jush mund të jemi krah për krah aleatëve dhe partnerëve tanë të mëdhenj dhe njëkohësisht është privilegj dhe nder i madh për mua që ky pozicion më jep mundësinë të komunikoj me ju dhe t'ju uroj sot nga zemra: gëzuar Krishtlindjet, gëzuar Vitin e Ri!".
"Nga ana tjetër, - vijoi ai - unë dua t'ju siguroj, sepse edhe mesa po shoh, se fëmijët i keni në formë, familjet i keni mirë dhe sigurisht ata mezi ju presin dhe ju mezi prisni të ktheheni. Jam i bindur që deri ditën e fundit do të jeni të përqendruar në realizimin me sukses të misionit dhe jam po ashtu i bindur se, krah për krah me aleatët dhe partnerët tanë të mëdhenj, ju do të merni të gjithë atë eksperiencë të domosdoshme dhe shumë të nevojshme për ne, për FA këtu, që do të pasurojë më tutje eksperiencën tuaj të përbashkët me kolegët këtu dhe do të jetë një tjetër gurë në murin e eksperiencës së Forcave të Armatosura". Gjithshtu, kryeministri Rama uroi për festat e fundvitit edhe përfaqësuesit e ushtrisë amerikane dhe vendeve aleate të pranishëm në këtë bashkëbisedim.