TIRANË - Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli ka pritur në një takim kryetarin e Komitetit Ushtarakë në NATO, gjeneral Knud Bartels, i cili po viziton vendin tonë. Pas takimit, ministrja Kodheli dhe Bartels kanë mbajtur një konferencë për median ku kanë thekusuar rëndësinë e bashkëpunimit. Gjatë fjalës së saj, Kodheli tha se, Shqipëria ka marrëdhënie shumë të mira me NATO-n dhe do të përkrah çdo aksion të aleancës së Atlantikut të Veriut.
Sipas ministres, Shqipëria është duke bërë reformin në fushën e mbrojtjes dhe ka një rol të madh në rajon. Ajo ka bërë të ditur se, bashkëpunimi në rajon është shumë i rëndësishëm dhe marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë janë një hap i rëndësishëm.
Minsitrja Kodheli u shpreh se Shqipëria ka kapacitet jo vetëm numerik por edhe cilësor të forcave të mbrojtjes, që të marrë pjesë në çdo aksion të NATO-s në botë, përfshirë aksion më të afërt atë në Afganistan.
"Në lidhje me kontributin ne jemi krenarë, jo vetëm për numrin e forcave të armatosura, por edhe për cilësinë e tyre. Në këtë këndvështrim do të theksoj se ne do të jemi pjesë e pandarë e NATO-s. Dëshiroj të shpreh edhe një herë suportin tonë për ndërhyrjen e forcave të NATO-s në Afganistan", tha ministja Kodheli në konferencën për mediat.
Ndërsa kreu i komitetit të NATO-s, Knud Bartels, u shpreh se Shqipëria përbën një aleat të çmuar në aleancën e Atlantikut të Veriut sa i përket ndërhyrjes në Afganistan.