TIRANE - Ulje e trysnisë mbi ushtarakët, rritje e moshës së daljes në pension e lirim, si dhe ulje e barrës financiare për buxhetin e shtetit, janë disa nga ndryshimet që pritet të vijnë me ligjin e ri për reformimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli ka prezantuar në Komisionin e Ligjeve projektligjin për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të cilin e përcaktoi si domosdoshmëri për të korigjuar ato që ajo i quajti, mangësi të ligjit aktual.
Me ligjin e ri për Forcat e Armatosura, ushtarakët do të dalin në një moshë më të madhe në rezervë si dhe do të lirohen më vonë. Zgjatja në kohë e ushtarakëve në një gradë të caktuar do të sjellë uljen e shpenzimeve buxhetore duke bërë që taksapaguesit shqiptarë të paguajnë më pak taksa. "Sot paguajmë 3 palë ushtri, një aktive, një në rezervë, një në lirim", tha ministrja Kodheli.
Trysnia e ligjit aktual për të nxjerrë në rezervë një numër të madh të ushtarakëve, duhet eleminuar, pasi sipas Kodhelit shpesh herë ka prodhuar elementë të korrupsionit.
"Rritje e moshës së daljes në rezervë. "Ushtria nuk plaket, vetëm bën që profesionistët dhe ekpertë të mbeten për një kohë akoma më të gjatë brenda Forcave të Armatosura dhe të mos dalin në rezervë apo lirim në kulmin e kësaj pjekurie", u shpreh Kodheli para anëtarëve të Komisionit parlamentar të Sigurisë.
Kodheli foli për një dinjitet të munguar në Forcat e Armatosura të cilin siguroi se ky projektligj e rikthen më së miri.
"Kam përcaktuar si prioritet rikthimin e disa vlerave në FA dhe rikthimin e dinjitetit që shpesh herë ka qenë i munguar. Pr/ligji synon të korrigjojë një sërë mangësish të ligjit aktual dhe të reflektojë ndryshimet që ndodhën në këto 10 vjet në Shqipëri. Synojmë të sjellim një moral të ri në FA, bazuar në meritë, profesionalizëm, performancë. Shfrytëzim i të gjitë kapaciteteve ushtarake që shoqëria ka investuar, dhe kjo është kosto që i duhet rikthyer shoqerisë shqiptare", tha ministrja e Mbrojtjes.
Ndryshimet, sipas saj, janë të domosdoshme, pasi veç të tjerash, "reflektojnë futjen e Shqipërisë 5 vjet më parë në NATO dhe ndryshimet që kanë ardhur për shkak të situatave shpesh herë të pakëndshme të një rreziku të caktuar, të një rrezikut agressiv ndaj sigurisë së vendeve të NATOS e demokracisë në përgjithësi"
I pranishëm në komisionin e Sigurisë, edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Jeronim Baze tha se ky projekligj ruan ekspertizën në grada të larta duke u ngritur në karrierë më larg dhe duke shmangur daljen e kësaj ekspertize në moshë pjekurie, sipas tij nuk kthen pas investimet e bëra në vite. Ky ligj tha ai "është më pak i kushtueshëm për buxhetin e brishtë dhe shpatullat e taksapaguesve shqitparë."