TIRANE- Ministri i zhvillimit Ekonomik doli në një konferencë për shtyp për të sqaruar sistemin e ri të taksimit të pagës me paketën e re fiskale.
"Sjellim parimin kush fiton më pak do paguajë më pak, kush më shumë do paguajë më shumë. Nga 1 janari 97% e të punësuarve do paguajnë më pak. Taksa progresive është bekim për shtresën e mesme dhe në nevojë"- tha Ahmetaj.
Përmes tabelave ai bëri një krahasim të rrogave, me taksimin e sheshtë dhe atë progresiv i cili do të hyjë në fuqi më janar.
Sipas tij lirohen nga ngarkesa fiskale 338 mijë e 872 të punësuar. "Janë 15 milionë dollarë që shtresat në nevojë përfitojnë nga kjo masë. Ky është angazhim dhe premtim i mbajtur nga qeveria - tha Ahmetaj.
Sipas Ahmetajt një pagë prej 30 mijë lekësh me taksën e sheshtë paguante 3 mijë lekë, me taksën progresive ngarkesa fiskale është 0.31 %. Do paguajë 95 lekë. "Paguante 3 mijë lekë, sot do paguajë 95 lekë. "- tha Ahmetaj duke shtuar se kësaj shtrese i kthejnë pagën e 13-të.