TIRANE- Nëse 100-vjetori i Pavarësisë e gjeti Tiranën të veshur e gjitha kuq e zi dhe me një dekor mbresëlënës, 101-vjetori e gjen kryeqytetin shumë larg këtij imazhi. Dekori i këtij viti është tejet i vakët dhe ndryshe nga vitete e kaluara, kur kryeqyteti vishej me të kuqe gati dy javë para festës së Pavarësisë, këtë vit ndërmarrja e dekorit ka nisur punën vetëm një natë më parë.
Gjatë ditës së sotme shiritat kuq e zi janë vendosur vetëm në bulevardin kryesor dëshmorët e kombit, ndërsa qendra e kryeqytetit ka si të vetmin dekor stemën e bashkisë dhe atë të Republikës.
Flamuri gjigand i vendosur një vit më parë tek 15-katëshi, apo ai përpara Teatrit të Operas dhe Baletit, ende nuk janë nxjerrë nga magazinat e bashkisë së Tiranës, për t'iu shtuar dekorit festiv të kryeqytetit.
Për më tepër ky dekor përdoret vetëm për festat e nëntorit, pasi në fillim të dhjetorit ai hiqet për t'iu zëvendësuar me dekorin e Krishtlindjeve dhe ndërrimit të viteve.