TIRANË - Festime për 101 vjetorin e Pavarësisë së shtetit shqiptar ka patur edhe në qytete të ndryshme të vendit. Kështu, festime dhe ceremoni janë zhvilluar në Shkodër, Gjirokastër, Fier, Lushnje, etj. Gjatë këtyre ceremonive është vënë në dukje roli i firmëtarëve të pavarësisë.
NË SHKODËR
Në Shkodër festa ka nisur përpara bashkisë me prezencë të drejtuesve të pushtetit lokal, përfaqësuesit e klerit si dhe dhjetra qytetarë të Shkodrës. Pasi kanë ndjekur performimin e bandës së qytetit, në sheshin përpara bashkisë është improvizuar ngritja e flamurit Kuq e Zi ndërsa më pas ka nisur maratona e pavarësisë Shkodër-Ulqin.
NË GJIROKASTËR
Edhe në Gjirokastër është ndjerë atmosfera e festës 101 vjetorit të Pavarësisë. Forumi patriotik "Djemtë e Gjirokastrës", kanë qenë të vetmit përfaqësues të shoqërisë civile të qytetit, të cilët kanë përkujtuar këtë ditë, në Kodrën e Rilindasve, ndërsa kanë bërë apel për për ngritjen e monumenteve të dy prej figurave historike të Rilindjes Shqiptare ajo e Ago Bocës dhe Abdyl Frashërit në qendër të Gjirokastrës.
NË FIER
Në Fier për nder të ditës së shpalljes së Pavarësisë është zhvilluar një aktivitet pranë bustit dhe Flamurit në qendër të qytetit ku në vitin 1912, bashkiaku i parë i këtij qyteti, Tonxhi Kilica, ngriti flamurin. Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë përfaqësues të pushtetit vebdorë dhe deputetë të forcave politike, si dhe qindra qytetarë fierake. Ka qenë nënkryetari bashkisë Fier, Florjan Muçaj, ai i cili ngriti flamurin në shenjë simbolike. Ndërkohë i pranishëm në ceremoninë përkujtimore të ditës së Pavarësisë ishte edhe ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirjan Celibashi.
NË LUSHNJE
Dita e flamurit është festuar edhe në qytetin e Lushnjes. 101 vjetori i shpalljes së Pavarësisë është përkujtuar në sheshin qëndror të qytetit, para bashkisë. Që në oret e para të ditës kanë qenë nxënësit e shkollave 9-vjeçare të qytetit ata që kanë interpretuar këngë të ndryshme me tema patriotike, numrat koreografikë me motive patriotike, si dhe numra akrobatike për argëtimin e të rinjëve. Festa ka vijuar më pas me ngritjen e flamurit Kuq e Zi nga kryetari i bashkisë Lushnje, Fatos Tushe.