ELBASAN -- Shkelja në kontratën e dhënies së një hapësire me qera për vjehrrën e kancelarit të Universitetit, ka bërë që të vihet nën hetim Rektori i Universitetit të Elbasanit, "Aleksandër Xhuvani", bashkë me drejtoren e Drejtorisë Juridike, Fatma Spahiu, ndërsa në pranga të vihet Kancelari i Universitetit, Eljan Hoxha dhe Filip Qosja, drejtor i Drejtorisë Ekonomike.
Ministria e Brendshme ka bërë të ditur se, "ka nisur procedimi penal për drejtuesit më të lartë të Universitetit "Aleksandër Xhuvani" në Elbasan, ndërkohë që dy prej tyre janë arrestuar nga policia. Në kuadër të operacionit të koduar "Premtimi", sektori kundër Krimit Ekonomiko-Financiar, në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit, pas një hetimi intensiv, në orët e para të mëngjesit të sotëm ka bërë të mundur arrestimin në flagrance të shtetasve:
Eljan Hoxha, 43 vjeç, banues në lagjen "Kala" Elbasan, me detyrë, Kancelar në Universitetin "Aleksander Xhuvani" Elbasan.
Filip Qosja, 49 vjeç, banues në lagjen "Viserion Xhuvani" Elbasan, me detyrë Drejtor i Drejtorisë Ekonomike në Universitetin "Aleksander Xhuvani" Elbasan".