Rreth 100 udhëtarë ndodhen në terminalin e aeroportit "Nënë Tereza" pasi kishin prerë biletat në kompaninë "Belle Air" për udhëtimet që ishin parashikuar për mëngjesin e sotëm drej Italisë
Njëri prej udhëtarëve, telefonoi në A1 Report për të shprehur shqetësimin se prej orës 05:00 ndodhen në aeroport dhe askush nuk jep asnjë informacion se çfarë do të bëhet me ta.
"Kemi prenotuar biletat në "Belle Air" për dy udhëtime, që ishin përcaktuar në orën 06:00 dhe në orën 07:00, njëri në Milano, tjetri në Venecia.
Kompania shqiptare e fluturimeve "Belle Air" ka shpallur dje pezullimin e përkohshëm të fluturimeve ndërkombëtare për shkak të situatës financiare. "Belle Air" njoftoi dje se janë bllokuar të gjitha llogaritë bankare prej 18 ditësh. Përmes një njoftimi për shtyp kompania njoftoi të gjithë klientët se mund të përdorin biletat e blera për të fluturuar me kompaninë italiane "Blue Panorama".
Por pasagjerët që ndodhen sot në mëngjes në terminalin e aeroportit thonë se askush nuk i ka njoftuar dhe nuk dinë se çfarë po ndodh.
"Jemi këtu prej orës 05:00. Kompania është e mbyllur, askush nuk na thotë asgjë. Nuk dimë çfarë po ndodh. Policia thotë nuk dimë gjë. Askush nuk përgjigjet. Edhe mbrëmë në orët e vona të natës kanë vazhduar të priten biletat "" -- thotë Gjoni, nga Shkodra, një nga pasagjerët që presin në aeroport.