Që të fitosh vendin e kandidatit për deputet në Partinë Demokratike, duhet ndër të tjera të mbash mend të paktën 3 emra të shokëve në universitet. Është kjo një nga pyetjet që kandidatët e përzgjedhur nga baza duhet të plotësojnë në formularin e vetëdeklarimit.
Në formularin me rreth 50 pyetje që PD e publikoi më 25 qershor, kërkohet edhe nëse kandidati është pjesëmarrës i rregullt në lojërat e fatit, është përdorues i alkoolit, substancave narkotike, të shprehet për gjendjen emocionale dhe psikologjike apo nëse ka shkuar te psikologu, por do të duhet të plotësojë edhe kontaktet e eprorëve në 10 vitet e fundit.
Formularin nuk do ta plotësojnë rreth 3 mijë kandidatët e propozuar nga anëtarësia në 12 qarqe. Tashmë në PD, është ngritur Komisioni i Vlerësimit, i cili siç burime brenda selisë blu thonë për Report Tv, ka shqyrtuar deri tani emrat në disa qarqe, në një proces që pritet të përmbyllet në 15 shtator. Vetëm ata që do të marrin pëlqimin e komisionit me 5 anëtarë, do të kalojnë në fazën e formularit i cili ndër të tjera përmban pyetje jo vetëm për pastërtinë e figurës, por edhe për burimin e pasurive.
?A keni aplikuar ndonjëherë për t?u pajisur me certifikatë sigurie? A ju është refuzuar ajo? A jeni përfshirë ndonjëherë në veprimtari që lidhen me krimin e organizuar? A kanë qenë apo jo të dënuar, në procedim penal, hetim apo gjykim, brenda apo jashtë vendit? A ju është refuzuar në 10 vitet e fundit hyrja në vendet e BE/NATO? A keni kërkuar azil politik?? - Janë disa pyetjet që duhet tu përgjigjen të propozuarit për kandidatë.
Sa i takon pasurive, objekt i deklarimit do të jenë të gjitha pasuritë e akumuluara ndër vite, burimet e krijimit të tyre dhe të drejtat reale mbi to, brenda dhe jashtë vendit, të cilat ndodhen në pronësi të kandidatëve që do të plotësojnë formularin, bashkëshortëve apo fëmijëve të tyre.