TIRANE-Koronavirusi vijon që të jetë agresiv dhe të marrë jetë. E ndërsa dita e djeshme u mbyll me 3 viktima, sot janë shënuar 2 humbje jete në spitalin Infektiv duke e çuar në 58 numrin në total. Ministria e Shëndetësisë njofton se një paciente 78-vjeçare nga Tirana, e transferuar nga një spital jopublik, ndërroi jetë në spitalin infektiv, megjithë trajtimin intensiv në reanimacion. Viktima e dytë është një pacient 83-vjeçar nga Durrësi, në terapi intensive, i cili vuante nga hipertensioni. Vijon të ketë shtrime në spitalin infektiv ku aktualisht po trajtohen 84 pacientë, numër rekord, 11 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 2 janë të intubuar, njëri mjek i repartit të hematologjisë 56-vjeç me inicialet A.P. 56-vjeç.
Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 371 testime për të dyshuar të prekur me Covid19, nga të cilat janë konfirmuar 64 raste pozitive, 13 më pak se dje. Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 15 raste në Tiranë, 13 në Krujë, 11 në Shkodër, 7 në Durrës, 4 në Lezhë, nga 3 raste në Kukës, Pukë, 2 në Kurbin, dhe nga 1 rast përkatësisht në Korçë, Elbasan, Vlorë, Berat, Mat, Pogradec.Në vendin tonë aktualisht janë 970 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës. Lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 54 qytetarë, duke e çuar në 1438 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Ministria e Shëndetësisë deklaron se për të katërtën javë të vijimit të epidemisë vazhdon një situatë serioze e rasteve të konfirmuara pozitive me Covid19, e rasteve që kanë kërkuar shtrim në spital apo rasteve në terapi intensive. Një tjetër trend në rritje janë edhe rastet që kanë pësuar humbje jete. Të gjithë këta indikatorë tregojnë që virusi po vijon me të njëjtin intensitet transmetueshmërie dhe po paraqet raste me shenja klinike.