TIRANË- Bilanci i koronavirusit vijon të rëndohet në vendin tonë. Ditën e sotme kanë humbur jetën 3 pacientë të tjerë të prekur me COVID-19, duke çuar në total numrin e personave që kanë humbur betejën me këtë virus në 65. Bëhet fjalë për një 74 vjeçare dhe një 86-vjeçar nga Shkodra dhe një 82 vjeçare nga Tirana, për të cilat ministria e Shëndetësisë thotë se kishin sëmundje bashkëshoqëruese. Viktimat janë regjistruar në 7 qarqe në vendin tonë, ku Tirana ka numrin më të larë të vdekje, me 36, për t'u ndjekur nga Durrësi, Fieri, Vlora, Shkodra, Kukësi dhe Elbasani.
Ndërkohë, gjatë ditës së sotme, ka pasur një ulje të ndjeshme të rasteve të reja, më konkretisht 45 që vijnë si rezultat edhe një numri jo shumë të lartë të testeve, krahasuar me ditët e tjera. Në total, gjatë 24 orëve të fundit janë realizuar 269 teste. Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 21 raste në Tiranë, 10 në Shkodër, 4 në Elbasan, nga 3 raste Delvinë, Kurbin, nga 1 rast në Krujë, Kukës, Lezhë, Sarandë. Ndërkohë, një lajm më optimist është se në 24 orët e fundit janë shëruar 57 qytetarë, duke e çuar në 1516 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.
Aktualisht në spitalin infektiv po trajtohen 71 pacientë, 10 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 2 janë të intubuar në gjendje të rëndë.
Si rezultat rasteve të shtuar, MSh njofton se ka pasur një personel shëndetësor të shtuar, teksa u bën apel qytetarëve që të respektojnë masat, pasi virusi është sërish mes nesh.