Zgjedhjet parlamentare mund të mbahen më 5 korrik

alsatmtv 2020-05-27

Views 0

Alsat jo zyrtarisht mëson se kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev të hënën ka zhvilluar biseda telefonike me liderët politik dhe partnerët e koalicionit qeveritar dhe atyre parazgjedhor. 5 korriku mësohet të jetë propozimi i fundit i partisë në pushtet si datë për zgjedhje. Me këtë LSDM-ja dhe partnerët e koalicionit synojnë që si fillim KSHZ-së t?i jepen 35 ditë për përgatitjen e procesit zgjedhorë dhe të plotësojnë kërkesën e VMRO-DPMNE-së e cila është kundër zgjedhjeve në qershor.

Lidhur me dilemat juridike se si do të caktohet data e re zgjedhjeve, mësohet se kryetari i Kuvendit do ta ndryshojë vendimin për zgjedhje më 12 prill me datën e dakorduar, përmes ndryshimit dhe plotësimit të dokumentit administrativ. Gjendja e jashtëzakonshme e cila skadon më 30 maj nuk do të vazhdohet, ndërsa Qeveria do të kthehet në formatin teknik. Por është me rëndësi që data e zgjedhjeve të caktohet para 30 majit me qëllim që nga 31 maji të nisë rrjedhja e afateve për zgjedhje. Ky do të jetë propozimi i fundit i pushtetit për opozitën. Në rast se VMRO-DPMNE-ja mohon që 5 korriku të jetë datë për zgjedhjet, atëherë partitë politike do të marrin qëndrim të unifikuar për zgjedhje pa opozitën maqedonase.

Nga partia e Hristijan Mickoskit thonë se zgjedhje nuk mund të mbahen në qershor dhe se konsensusi për datë tjetër të zgjedhjeve është i domosdoshëm. Nga LSDM-ja i përkujtojnë opozitës se oferta për datë me konsensus vlen deri në përfundimin e gjendjes së jashtëzakonshme, duke mos mohuar kontaktet e liderit të partisë me liderët e tjerë politik. BDI vlerëson se 5 korriku është data e fundit logjike për zgjedhje parlamentare. Ndërkohë Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kërkojnë që të gjitha subjektet të mbështesin 26 korrikun si datë për zgjedhje.

Nga kabineti i presidentit Stevo Pendarovski mbeten në qëndrimin se pa u përafruar qëndrime nuk do të ketë takim liderësh.

Se zgjedhje mund të mbahen në korrik, këtë e ngriti si mundësi edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Deklarata e tij se Maqedonia e Veriut mban zgjedhje në korrik erdhi pak ditë pas bisedës telefonike që Kurti kishte me kryeministrin teknik Oliver Spasovski.

Adrian Kerimi

Share This Video


Download

  
Report form